Departamenti i Historisë

Departamenti i Historisë është departamenti me traditën më të vjetër në mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës. Ky departament është themeluar në vitin 1960, ndërsa ka filluar së funksionuari në vitin akademik 1960/61. Departamenti i Historisë funksionon në kuadër të Fakultetit Filozofik, si departamenti i vetëm në nivel vendi, që ofron studime nga fusha e historisë, me një staf të kompletuar, të dëshmuar në mësimdhënie dhe punë kërkimore-shkencore. Aktualisht, stafi i departamentit përbëhet prej dhjetë profesorësh dhe një asistenti. Mësimdhënësit e departamentit, krahas përvojës së gjatë pedagogjike, shquhen edhe për një numër të konsiderueshëm publikimesh monografike, tekstesh universitare dhe kontributesh shkencore në revista prestigjioze vendore dhe ndërkombëtare.Departamenti i Historisë gjatë viteve të funksionimit të tij ka ofruar në vijimësi programe në studimet bazike (Bachelor), Magjistraturë (Master) dhe në studimet e  Doktoratës. Viteve të fundit ka organizuar edhe studime të nivelit Master në fushën e Arkivistikës.

Departamenti i Filozofisë

Departamenti i Filozofisë ofron arsimimin dhe edukimin e studentëve në fushën e filozofisë, duke zhvilluar dhe afirmuar teoritë dhe konceptet filozofike dhe duke promovuar studimin dhe hulumtimin në këtë fushë, zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativ mbi traditën filozofike dhe mbi çështjet më domethënëse  për  botën e  sotme, zhvillimin e burimeve njerëzore për aplikimin e të arriturave teorike dhe filozofike në jetën praktike, krijimin e kapaciteteve profesionale dhe intelektuale, të afta të marrin përgjegjësi qytetare mbi proceset shoqërore politike, sociale, kulturore, arsimore, ambientale etj.
Departamenti i Filozofisë organizon studime të filozofisë me programe në nivelin Bachelor dhe Master. Këto programe studimore kanë qasje interpretuese, rekontruktuese dhe analizuese të drejtimeve e rrymave, pikëpamjeve, botëkuptimeve, koncepteve dhe problemeve filozofike me trajtim të tyre nga perspektiva kryesisht teorike, duke mos lënë anash zbatimin dhe ilustrimin e tyre në raste konkrete ose hipotetike

Departamenti i Sociologjisë

Departamenti i Sociologjisë është ndër departmentet e para të Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës. I pozicionuar në kontekst dinamik social, historik dhe politik, studimi i sociologjisë në Kosovë filloi për herë të parë në vitin akademik 1973/74, në Katedrën Filozofi-Sociologji. Trajektorja e studimeve sociologjike refleksive ka pasur zhvendosje dhe ndryshime të shumta strukturore gjatë viteve, për t’u zhvilluar si një program akademik, që përmbush nevojat e një sociologjie kritike. Duke parafrazuar përkufizime të shumta mbi sociologjinë, si studim i jetës sociale, i ndryshimeve shoqërore, strukturave dhe pabarazive sociale, kontributi i veçantë i sociologjisë mbetet t’i kuptojë, hulumtojë, krahasojë, analizojë dhe shpjegojë, çështjet më diverse të shoqërisë sot, si ato në nivelin lokal dhe kombëtar, ashtu edhe ato në atë global. Duke filluar që nga familja, socializimi, kultura, gjinia, mjedisi, diaspora, media, e deri te kombi, etnia, klasa, identiteti, shteti, sociologët në departamentin tonë studiojnë, hulumtojnë dhe analizojnë fenomenet sociale, që e strukturojnë shoqërinë kosovare sot.

Departamenti i Psikologjisë

Departamenti i Psikologjisë ka tashmë një traditë 20-vjeçare të përsosmërisë në mësimdhënie dhe hulumtime shkencore. Themeluar në vitin 2001, menjëherë pas luftës (1999), Departamenti i Psikologjisë ka kontribuar jashtëzakonisht në etablimin e profesionit të psikologut në Kosovë. Ofrimi i një planprogrami të studimeve BA dhe MA të krahasueshëm me ato të universiteteve evropiane, rritja e cilësisë së hulumtimit shkencor, pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare, puna me institucione dhe komunitete të ndryshme në vend, përgjigjja në kohën e duhur ndaj sfidave të ndryshme me të cilat përballet shoqëria, e bëjnë Departamentin e Psikologjisë sot një nga degët më të respektuara jo vetëm nga Universiteti i Prishtinës.
Departamenti i Psikologjisë në kuadër të programeve të tij akademike ka mision avancimin e psikologjisë si shkencë dhe profesionit të psikologut përmes arsimimit cilësor të studentëve të këtij departamenti, rritjes së kërkimeve shkencore në fushën e psikologjisë, formimit të vlerave më të mira qytetare dhe profesionale tek studentët, si dhe zbatimit të standardeve evropiane dhe ndërkombëtarizimit.

Departamenti i Shkencës Politike

Departamenti i Shkencës Politike, themeluar në vitin 2001, ofron studime dhe hulumtime shkencore, duke kontribuar në formësimin e kuadrove si dhe zhvillimin e studimeve mbi politikën si disiplinë shkencore. Departamenti i Shkencës Politike për më shumë se dy dekada ka ofruar programe studimi, në nivelet BA dhe MA, si Shkencë Politike dhe Administratë  Publike (BA), Shoqëria Civile dhe Zhvillimi Lokal (MA), Shkencë Politike (BA), me specializim në Marrëdhënie Ndërkombëtare apo në Administrim Publik, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci (MA), si dhe programi në gjuhën angleze Studime Evropiane dhe Administratë Publike (MA).
Në Departamentin e Shkencës Politike vepron një numër i konsiderueshëm i profesorëve dhe hulumtuesve, shumë nga të cilët janë formësuar në universitete prestigjioze perëndimore në Evropë e ShBA, të cilët përmes mësimdhënies dhe hulumtimeve të tyre kanë arritur ndërkombëtarizimin dhe rrjetëzimin e Departamentit të Shkencës Politike me shumë institucione në zë

Departamenti i Punës Sociale

Departamenti i Punës Sociale u themelua në vitin 2012 dhe është institucioni i vetëm arsimor në Kosovë, që ofron studime Bachelor në Punë Sociale. Sot, Departamenti i Punës Sociale ka një numër të konsiderueshëm të aplikantëve dhe kjo tregon, që studentët e shohin atë edhe si një program, që ofron dije multi-disiplinare.Plan-programi i Departamentit të Punës Sociale ngërthen disiplina të ndryshme dhe përbëhet nga fushat si metodat e punës sociale: puna me raste, puna me familje, puna në komunitet, puna me grupe të margjinalizuara; psikologjia, sociologjia, legjislacioni, të drejtat e njeriut, këshillimi psiko-social, praktika profesionale, etj. Studentët e diplomuar mund të punësohen në Qendra të Punës Sociale dhe organizata të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare në fushën e shërbimeve sociale si mbrojtja e fëmijëve, puna me familje, puna me të rinj, puna më të moshuarit, qendra korrektuese dhe rahabilituese për të mitur, puna me persona me nevoja të veçanta, strehimi familjar, strehimore për nëna dhe fëmijë, punë në komunitet, puna me grupet e margjinalizuara, puna me gratë që përjetojnë dhunë, organizata që punojnë në fushën e hulumtimeve, organizata që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe ndryshim social etj.

Departamenti i Antropologjisë

Antropologjia është shkencë dhe dije, që studion dhe analizon jetën kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike, si në të kaluarën ashtu edhe të tashmen, në të gjithë shumëllojshmërinë e saj, me njerëzit në qendër. Në departamentin tonë bëhet studimi antropologjik në dy drejtime - Antropologji Kulturore dhe Arkeologji – ku mësohet për historinë e mendimeve dhe jetesës kulturore, trashëgiminë kulturore, angazhohen teori dhe praktika antropologjike të ndryshme, si ato vendore, ashtu edhe ato të shkollave dhe traditave globale. Si një nga hapësirat më dinamike dhe kreative në UP, Departamenti i Antropologjisë kulti­von e promovon studimin antropologjike të bazuar në qasje të kombinuar teorike dhe praktike, në diskutim me shumë debate klasike dhe bashkëkohore brenda antropologjisë, shkencave shoqërore dhe dijev humane në përgjithësi. I themeluar në vitin 2002, me nismën e Prof. dr. Drita Statovcit, dhe me përkrahjen e akademikëve dhe profesionistëve të shumtë, departamenti është konsoliduar si programi i vetëm dhe i suksesshëm BA i antropologjisë në gjuhën shqipe.